Javën e ardhshme do të krijohet Ministria e Administratës Publike, që vjen edhe si përgjigje ndaj nevojave për të përmbushur kriteret e Bashkimit Europian në këtë drejtim. Shefi i ekzekutivit, Edi Rama u shpreh se në krye të këtij dikasteri qeveritar do të qëndrojë, Adea Pirdeni. “Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht sepse tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë. Dhe nuk diskutohet, ose, më saktë, mund të ketë edhe ndonjë që mund ta diskutojë, por, në këndvështrimin tim, nuk diskutohet që Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë dhe ta çojë përpara vetëm ministrja e Shtetit sot për Administratën Publike.”