Festa e grave është shoqëruar me ceremoni e festime të ndryshme, përgjatë kësaj të marte pothuajse në të gjithë vendin. Vec organizimeve, takime të shumta janë zhvilluar mes zyrtarëve të lartë e grave të cilat janë vlerësuar për punën dhe kontributin e tyre në shoqëri. Një takim zhvilloi edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano me zv.ambasadoren e OSCE-së dhe përfaqësueset e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare që kanë në fokus të punës së tyre mbrojtjen e gruas dhe të fëmijëve. Gjatë takimit të mbajtur, Nano u shpreh se mbrojtja e lirive dhe të drejtave të grave, barazia gjinore dhe trajtimi me profesionalizëm i rasteve të dhunimit të grave dhe fëmijëve është një nga prioritetet e Policisë së Shtetit.