Partia Socialiste nisi zyrtarisht procedurën e përzgjedhjes së kandidaturave për Presidentin e Republikës. Një forcë politike që për herë të parë do të mund të ketë nën kontroll edhe këtë post, të cilin Kushtetuta e parashikon të jetë mbi palët. Por teksa Partia Socialiste ka shumicën në Kuvend, pikëpyetja që ngrihet ka të bëjë me faktin, se a do të mund Edi Rama ta zgjedhë Presidentin në 3 raundet e para, në kushtet kur opozita nuk pranon të bashkëpunojë, me emra të paracaktuar nga PS?! Kushtetuta sanksionon 5 raunde për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, ku në tre raundet e para kërkohet konsensus mes palëve dhe grumbullim i 3/5 të votave, apo 84 të tilla. Ndërkohë pas raundit të 3 Presidenti zgjidhet me lehtësi me vetëm 71 vota.