Policia e Bulqizës ka arrestuar drejtuesin teknik të minierës ku humbi jetën minatori 40-vjeçar Ilir Koloveri. Në pranga ka rënë 63 vjeçari, Përparim Koçi, i cili dyshohet se ai nuk ka zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë, gjë që dyshohet se solli aksidentin fatal ku humbi jetën minatori. Ilir Koloveri mbeti i bllokuar pas një shembjeje masive të materialit minerar në një galeri të minierës në Tërnovë të Madhe. Pas disa orësh kërkime në kushte të vështira, ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin trupin e pajetë të 40-vjeçarit, i cili u dërgua në morgun e Tiranës për autopsinë mjeko-ligjore.