Zyra Europiane Kundër Mashtrimit, njohur si OLAF ka identifikuar të paktën 33 milionë euro të fondeve IPARD të keqpërdorura në Shqipëri nga hetimi mbi shpenzimet e ndihmës financiare të Bashkimit Europiaan për fermerët shqiptarë. Salla Sastomoinen, drejtore në detyrë e OLAF foli për revistën Monitor, ku shpjegoi se përse edhe dy vite pas raportit për keqpërdorimin e 33 milionë eurove fonde të qytetarëve europianë, ndihma financiare IPARD për fermerët shqiptarë mbetet e bllokuar. “Ne nuk urdhërojmë apo zbatojmë ndëshkimet. Roli ynë është të japim rekomandime dhe të sigurohemi që fondet e BE të mbrohen. Për këtë arsye, drejtoria e përgjithshme për bujqësinë në komisionin europian vendosi ngrirjen e fondeve derisa Shqipëria të ndërmarrë hapat e duhur”, deklaroi drejtorja.