Ministria e Financave raportoi një suficit buxhetor prej 30 miliardë lekësh në dy muajt e parë të këtij viti. Të dhënat paraprake të performancës fiskale të institucioneve tregojnë se në janar dhe shkurt të ardhurat e grumbulluara në total nga doganat dhe tatimet arritën në 130 miliardë lekë, 11.5 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, teksa shpenzimet pak më shumë se 100 miliardë lekë, me rritje vjetore nga periudha në periudhë me 7.2 për qind. Të dhënat tregojnë se mbledhja e të ardhurave gjatë dy muajve e ka tejkaluar me 16 për qind parashikimin e qeverisë në buxhetin e këtij viti. Doganat mblodhën 33.1 miliardë lekë, duke realizuar 91 për qind të planit, ndërsa tatimet raportuan arkëtimin e gati 48 miliardë lekëve, duke tejkaluar planin me 3 për qind.