Një 21-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Tiranës pasi u kap duke shpërndarë doza kanabisi. I riu, me inicialet K. K., tentoi të largohej dhe të fshihej në një ambient që kishte në përdorim, bilardo, pasi hodhi në tokë lëndën narkotike në momentin që u pikas nga forcat e rendit. Operacioni u zhvillua nga forcat “Shqiponja” dhe Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, të cilët, pas informacioneve operative, identifikuan dhe arrestuan të dyshuarin në rrugën “Albanopoli”. Gjatë kontrollit në ambientin e përdorur prej tij, u gjetën dhe sekuestruan disa doza kanabisi të gatshme për shitje, një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti kriminal, një peshore për lëndën narkotike dhe tre aparate celularë.