Mbi 41 kilogramë kokainë u sekuestruan në kuadër të operacionit Ankor 3 të zhvilluar nga policia në Portin e Durrësit. Shërbimet e Policisë kryen kontroll të imtësishëm në një kontejner me origjinë nga Brazili, i cili, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule. Gjatë kontrollit të kontejnerit, në kapakët e jashtëm të tij u konstatuan 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Sasia totale e lëndës së dyshuar narkotike rezultoi 41 kg e 350 gramë, ndërsa vlera e saj përllogaritet rreth 2 milionë euro. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i policisë së Durrësit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit. Ky është rasti i tretë që goditet një tentativë trafiku droge përmes Portit të Durrësit brenda një muaji.