Turistët që duan të ndjekin traditën duke hedhur një monedhë në Shatërvanin e Trevit, në Romë, do të duhet të gërmojnë pak më thellë në xhepa, nga e hëna, pasi qyteti ka vendosur një tarifë të re prej 2 eurosh për vizitorët. Tarifa, që synon të zbusë turizmin e tepërt dhe të ndihmojë në financimin e mirëmbajtjes së monumentit, zbatohet vetëm për vizitorët që zbresin shkallët prej guri për t'iu afruar pellgut të shatërvanit. Sheshi përreth, i cili ofron pamje të monumentit, do të mbetet i aksesueshëm. Tarifa do të aplikohet nga ora 11:30 e mëngjesit deri në orën 22:00 gjatë ditëve të javës dhe nga ora 9:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 gjatë fundjavave. Sipas rregullave të shpallura për herë të parë në dhjetor, banorët e Romës janë të përjashtuar, së bashku me personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre, si dhe fëmijët nën 6 vjeç. "Nuk e dija që duhej të paguanim, por nuk e kam problem këtë", thotë një turiste argjentinase Valentina De Vicentis, që u përball të hënën me tarifën e re.