Autoritetet spanjolle kanë sekuestruar rreth 2.1 ton kokainë në një varkë që po transportonte drogën në Oqeanin Atlantik, ndërsa pesë persona janë arrestuar në kuadër të operacionit. Sipas Agjencisë Spanjolle të Taksave dhe Doganave (AEAT), varka u ndalua rreth 650 kilometra larg brigjeve të Galicisë, në veriperëndim të Spanjës. Katër anëtarë të ekuipazhit u arrestuan në bord. Sipas autoriteteve, ata janë shtetas të Argjentinës, Uruguait, Kolumbisë dhe Shqipërisë. Një person i pestë, i dyshuar si pjesë e të njëjtit grup, u arrestua në Girona, pranë Barcelonës.