Më pak se dy javë pas anëtarësimit në NATO, Finlanda ka nisur të vendosë tela me gjemba në kufirin me Rusinë, një veprim që ka si synim kryesor frenimin e kalimit të paligjshëm të kufirit. Roja kufitare finlandeze tregoi të premten ndërtimin e tre kilometrave të parë të kësaj vije ndarëse me tela me gjemba, në zonën e Pekolas, pranë qytetit në bregun e liqenit Imatras me 25,000 banorë. Vija kufitare e Finlandës me Rusinë është, 1,340 kilometra, më e gjata ndër të gjitha vendet e tjera të Bashkimit Europian. Ndërtimi i gardhit kufitar u miratua vitin e kaluar nga qeveria e Kryeministres Sanna Marin me një mbështetje të gjërë politike.