Sipas një studimi, fundi i botës do të vinte më 13 nëntor 2026. Tingëllon dramatike dhe urgjente, nëse studimi nuk do të ishte tashmë i "vjetruar". I njohur si studimi mbi "Ditën e Fundit" (Studimi i Apokalipsit), ai është tashmë 66 vjeçar, por ndoshta është edhe studimi më i njohur i lidhur me fundin e botës. Në 1960, studiuesit përdorën një formulë matematikore për të llogaritur fundin e njerëzimit, që prodhoi si datë të premten, më 13 nëntor 2026. Artikulli me titullin provokues "Dita e Fundit: E premte, 13 nëntor, viti 2026" u shkrua nga fizikanti austro-amerikan Heinz von Foerster dhe ekipi i tij kërkimor, dhe u botua në revistën prestigjioze *Science*. Studiuesit analizuan të dhëna historike mbi popullsinë botërore gjatë dy mijëvjeçarëve të fundit dhe krijuan një kurbë rritjeje bazuar në to. Parashikimi i tyre ishte se, nëse ritmi i atëhershëm i rritjes së popullsisë në Tokë do të vazhdonte i pandryshuar, kurba do të arrinte një vlerë të pafundme në nëntor 2026. Pra, deri këtë të premte, njerëzit do të ishin shumëfishuar në pafundësi. Përfundimi logjik i matematikanëve ishte se, në këtë datë, njerëzimi do të "shtypte" veten për shkak të mbipopullimit. Në atë kohë, studimi shkaktoi bujë në mbarë botën, dhe pikërisht ky ishte qëllimi. Duke caktuar një të premte, datë 13-ë, Heinz von Foerster donte të tërhiqte vëmendjen ndaj mbipopullimit, që diskutohej shumë në atë periudhë. Deri në fillim të viteve 1990, kurba përputhej jashtëzakonisht mirë me shifrat reale. Më pas, rritja e popullsisë globale u ngadalësua. Popullsia vazhdon të rritet, por gjithnjë e më ngadalë. Rritja më e shpejtë u shënua në 1963, me një normë prej më shumë se dy për qind në vit. Deri në vitin 2020, kjo rritje kishte rënë nën një për qind. Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, numri i njerëzve në Tokë do të arrijë kulmin nga mesi i viteve 2080, me rreth 10,3 miliardë banorë. Pas kësaj, popullsia botërore do të fillojë të ulet sërish. Sidoqoftë, ky nuk ishte parashikimi i parë për fundin e botës. Në vitin 1910, pati panik për kometën Halley, por ajo kaloi dhe nuk ndodhi asgjë. Më 21 dhjetor 2012 përfundoi një cikël i kalendarit të majave, gjë që shumë njerëz e interpretuan si fundin e botës, por sërish jemi këtu.