Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi 39 parti politike për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi vendosi shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së partisë ‘Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen’ për të qartësuar drejtimin e kësaj force politike. Kjo, sepse pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve janë depozituar dy kërkesa për partinë MEGA. Kërkesa e parë nga Kristo Kiço, që është shoqëruar edhe me një vërtetim nga zyra e regjistrit të partive politike. Ndërkohë në 24 shkurt, për po të njëjtin subjekt politik ka depozituar kërkesë edhe Lefter Nika, i cili disponon një vendim të gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, përmes së cilit pretendon kryesimin e partisë ‘MEGA’.