Qindra alpinistë të bllokuar nga një stuhi bore pranë faqes lindore të malit Everest në Tibet janë nxjerrë në vend të sigurt nga ekipet e shpëtimit, raportoi media shtetërore kineze të dielën, ndërsa bora dhe reshjet e shiut jashtëzakonisht të dendura goditën Himalajet. Që nga e diela, 350 alpinistë kishin mbërritur në qytezën e vogël Qudang, ndërsa kontakti me mbi 200 alpinistë të mbetur ishte vendosur, raportoi CCTV. Qindra fshatarë vendas dhe ekipe shpëtimi u angazhuan për të ndihmuar në largimin e borës që bllokoi aksesin në zonën ku gati 1,000 njerëz ishin bllokuar, sipas një raporti të mëparshëm. Alpinistët e mbetur do të mbërrijnë në Qudang në faza, nën udhëheqjen dhe ndihmën e ekipeve të shpëtimit të organizuara nga qeveria lokale. Reshjet e dëborës në luginën që ndodhet në një lartësi mesatare prej 4,200 metrash, filluan të premten në mbrëmje dhe vazhduan gjatë gjithë të shtunës. Gjithcka ndodhi në Luginën e Karmës, që është një pjesë relativisht e paprekur e rajonit të Everestit. Ndryshe nga faqja veriore e majës, ajo ka një bimësi të harlisur dhe pyje alpine të paprekura, të ushqyera nga ujërat e shkrira nga akullnaja Kangshung në rrëzë të malit më të lartë në botë.