Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka mbyllur një nga portalet që lidhej me grupin “Homeland Justice”, i njohur për sulmet kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, pasi përmbajtja e publikuar cilësohet si propagandë iraniane. Po ashtu, janë mbyllur edhe disa faqe interneti që, sipas autoriteteve, përdoreshin nga Irani për operacione psikologjike dhe shpërndarje propagande terroriste. Këto platforma synonin kritikët e regjimit, ndërsa përdoreshin edhe për publikimin e materialeve të marra përmes sulmeve kibernetike. Sipas hetimeve, faqet menaxhoheshin nga Ministria iraniane e Inteligjencës dhe Sigurisë dhe përmbanin të dhëna të vjedhura edhe nga sulme të mëparshme, përfshirë rastin e Shqipërisë. Sipas Departamentit të Drejtësisë, këto platforma publikonin të dhëna sensitive për rreth 190 persona dhe përhapnin kërcënime, me qëllim frikësimin e kritikëve dhe pengimin e raportimit të pavarur, veçanërisht ndaj diasporës iraniane.