Ende vijon të jetë aktiv zjarri në Bregas dhe Shelegar. Banorë të fshatrave Bregas dhe Shelegar janë bashkuar me ekipet e shpëtimit në terren për të frenuar përhapjen e flakëve, duke luftuar zjarrin me mjete rrethanore në kushtet e një terreni të thyer dhe të vështirë. Madje banorë të Bregasit i erdhën në ndihmë një zjarrfikësi i cili u lëndua në këmbë pasi rrëshkiti duke e ndrydhur atë, duke mbetur për disa momente i rrezikuar nga afërsia e flakëve. Banorët njoftuan menjëherë ambulancën dhe e transportuan zjarrfikësin nga zona e zjarrit deri te mjeti i urgjencës.