Një zjarr i madh përfshiu mesditën e martës një fermë blegtorie në Patos, duke e shkatërruar plotësisht. Nga zjarri janë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe humbje në bagëti. Flakët në fermë u përhapën me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe prania e sasive të mëdha të ushqimit për bagëtitë. Fermerët dhe banorët e zonës u përpoqën të shpëtonin kafshët, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat zjarrfikëse të Patosit. Për shkak të përmasave të zjarrit dhe rrezikut të përhapjes së flakëve, në ndihmë u angazhuan edhe zjarrfikësit e Fierit. Pas disa orësh pune intensive, ekipet arritën ta vinin zjarrin nën kontroll dhe të shmangnin përhapjen e tij në objektet përreth. Mbi 10 krerë bagëti janë djegur, ndërsa janë shkrumbuar sasi të mëdha ushqimi, makineri bujqësore dhe stalla e fermës. Dëmet materiale vlerësohen paraprakisht në rreth 7 milionë lekë. Në vendngjarje ndodhen edhe shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit.