Orët e mbrëmjes së të shtunës u kthyen në një makth për banorët e Krujës, pasi një zjarr masiv përfshiu territorin malor dhe u afrua rrezikshëm pranë zonave të banuara. Flakët përfshinë sipërfaqe të mëdha me ullishte, pemë frutore dhe bimësi, ndërsa në disa momente zjarri kërcënoi banesat dhe bizneset. Tymi dhe flakët mbuluan zonën, duke detyruar strukturat e emergjencës të angazhonin një operacion të gjerë për mbrojtjen e qytetit. Për shuarjen e zjarrit u ndërhy nga toka dhe ajri. Në terren u angazhuan mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, së bashku me 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit. Në operacion u përdorën 21 mjete zjarrfikëse, tre helikopterë, droni “Bayraktar TB2” dhe dy dronë me kamera termike të AKMC-së.