Një zjarr i përmasave të konsiderueshme, i rënë në zonën e Malasejt në Cërrik, është shuar pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, duke shmangur përhapjen e flakëve drejt banesave dhe një prej burimeve të rëndësishme të furnizimit me ujë të qytetit. Nga zjarri janë përfshirë nga flakët rreth 2 hektarë sipërfaqe toke, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi raportohet se janë djegur rreth 250 rrënjë ullinj. Situata ka qenë veçanërisht shqetësuese për shkak të afërsisë së vatrës me disa banesa, si dhe me depon e ujit që furnizon qytetin e Cërrikut. Përhapja e flakëve në drejtim të këtyre objekteve përbënte një rrezik të drejtpërdrejtë, por ndërhyrja në kohë e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e zjarrit.