Një zjarr ka rënë në ambientet e jashtme të një pallati në Lushnje, duke shkaktuar panik te banorët. Si pasojë e temperaturave të larta nga flakët, është thyer xhami i garazhit të pallatit dhe tymi ka depërtuar brenda ambienteve. Siç raporton korrespondenti i Top Channel, Bledar Korreshi, situata ka alarmuar banorët, të cilët kanë nisur të nxjerrin makinat nga garazhi, të shqetësuar për përhapjen e zjarrit dhe tymit. Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit dhe nëse ka persona të lënduar. Po ashtu, pritet të përcaktohet edhe dëmi i shkaktuar nga flakët.