Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, kërkoi koordinimin e të gjitha strukturave lokale dhe qendrore për përballimin e situatës së zjarreve në vend. Ai e bëri thirrjen gjatë një vizite në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, pjesë e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. “Nga këtu monitorohet, kontrollohet dhe koordinohet i gjithë procesi i menaxhimit të situatës së zjarreve në territorin e Republikës së Shqipërisë, po jo vetëm situatës së zjarreve, por edhe ato të përmbytjeve apo gjithë fatkeqësive të tjera të natyrës që mund të ndodhin në territorin e Republikës. Për asnjë moment puna nuk pushon 24/7. Njerëzit janë të dedikuar që mund të monitorojnë të gjithë territorin e Republikës, qark për qark, bashki për bashki dhe të evidentojnë ku janë situatat më problematike”.