Zgjedhjet për parlamentin europian që u mbyllën të dielën kanë shkundur europën. Sinjalin e parë të fortë e dha Franca. Presidenti Emmanuel Macron njoftoi se do të shpërndajë Asamblenë Kombëtare dhe do të thërrasë zgjedhje legjislative më 30 qershor dhe 7 korrik, pasi partia e tij “Rilindje” humbi me diferencë të madhe kundrejt rivalëve të Marine Le Pen. “Marshi Kombëtar” doli e para, me mbi 30 për qind të votave. Partitë e së djathtës ekstreme shënuan rritje të konsiderueshme në Gjermani, Austri dhe Francë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian të dielën. Këto tri vende i bashkohen Holandës, çka jep shenjat e para se kthimi nga e djathta do të ndodhë në këtë institucion të BE-së. Partia e qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane (PPE) pritet të jetë sërish grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, dhe që kandidatja, Ursula von der Leyen të ketë edhe një mandat në krye të BE-së.