Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi dokumente të reja mbi Jeffrey Epstein, përfshirë mbi 3 milion faqe, dy mijë video dhe 180 mijë fotografi, shumë prej të cilave përmbajnë materiale të papërshtatshme për të miturit. Sipas raportimit të medias ndërkombëtare midis dokumenteve përmendet 3,200 herë emri i presidentit Donald Trump. Zv.prokurori Todd Blanche (Tod Blensh) shtoi se departamenti nuk po mbron askënd, duke përjashtuar çdo ndikim të mundshëm në mbrojtjen e presidentit. “Ne nuk e mbrojtëm presidentin, nuk mbrojtëm askënd,” tha ai gjatë konferencës për shtyp, duke nënvizuar se dokumentet synojnë transparencë dhe informim. Ndër zbulimet e para janë edhe të dhëna mbi bashkëthemeluesin e Microsoft, Bill Gates, i cili sipas dokumenteve dyshohet se ka pasur kontakte seksuale me vajza ruse dhe ka kontraktuar një sëmundje seksualisht të transmetueshme. Email-et e Epstein për Gates përmbajnë edhe kërkesa për të mbajtur fshehur informacionin nga gruaja e tij e atëhershme, Melinda Gates. Po ashtu, dokumentet përfshijnë komunikime të Elon Musk me Epstein. Miliarderi pyet në një email për mundësinë e një vizite në ishullin e Epstein, “Little Saint James”, ku më vonë disa viktima raportuan abuzime. Nuk është e qartë nëse Musk ka vizituar ishullin, ndërsa ai ka mohuar gjithmonë ndonjë lidhje me Epstein.