Profili i presidentit të ardhshëm të Kosovës ishte subjekti i diskutimit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në takimin e së martës mbrëma. Liderët e dy partive, Albin Kurti e Lumir Abdixhiku nuk treguan emra konkret duke thënë që do t’i diskutojnë me partitë e tyre fillimisht, por profesori Ibrahim Berisha dhe nënkryetari i Kuvendit Krahinor në të 90-tat, Iljaz Ramajli u mësua se ishin dy emrat e përmendur në takim. Vetë Berisha refuzoi të përfshihej në diskutimet për president duke thënë që fokus i tij mbeten kultura, letërsia dhe komunikimi, ndërkohë që familja e Ramajlit thanë se ai nuk do të pranojë të jetë kandidat. Sipas njohësve, Lëvizja Vetëvendosje po kërkon një figurë që nuk do të jetë sfiduese për Albin Kurtin.