Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, reagoi për herë të parë për deklaratën e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, për pastrimin etnik të Kosovës, duke thënë se nuk pasqyron as vullnetin e tij dhe as atë të Qeverisë serbe. Shefi i Beogradit deklaroi se politika e shtetit është dialogu dhe kurrë spastrimi etnik. “Ishte një deklaratë e pamenduar dhe e papërgjegjshme. Nuk duhet të dilet në publik me deklarata të tilla dhe kjo nuk është politika ime, as politika e Qeverisë së Serbisë. Është detyra jonë ta themi këtë qartë”, u tha Vuçiç gazetarëve në Kiev, ku po merr pjesë në Samitin Evropa Juglindore-Ukraina.