“Vetëm muzika më bën të lumtur”, shprehej Nikolla Zoraqi, kompozitori që krijoi vepra madhështore në shekullin XX në vendin tonë. Për të nxjerrë në pah kontributin e veçantë të Zoraqit në zhvillimin e muzikës së re shqiptare, regjisori Mevlan Shanaj solli për publikun dokumentarin “Nikolla i zemrës së Tiranës”, me skenar nga Natasha Lako. Mevlan Shanaj, regjisor – Është kompozitor në nivel botëror dhe këtë jo të gjithë e dinë. Kompozitor jo vetëm i 100 veprave, i 8 veprave skenike, por mori folkun e Shqipërisë dhe e çoi në muzikë elitare. Në realizimin e këtij dokumentari, Shanaj bashkëpunoi me kompozitorin Zhani Ciko, që si koleg ka njohur nga afër talentin e tij të rrallë për t’i dhënë jetë pjesëve dramatike për solo, kor e orkestër, baladave, operetave për fëmijë, uvertura dhe koncerteve.