Një vatër zjarri është shfaqur në një terren të vështirë malor, në kufirin mes fshatrave Golem dhe Progonat. Pas sinjalizimit të marrë nga AKMC, drejt vendngjarjes u nis menjëherë një grup i shërbimit zjarrfikës. Me mbërritjen në terren, efektivët konstatuan se zjarri kishte rënë në majë të malit, në një zonë me akses të vështirë. Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve bëri të mundur izolimin e flakëve dhe më pas shuarjen e plotë të zjarrit, duke parandaluar përhapjen e tij. Nga flakët u përshkua një sipërfaqe prej rreth 3 hektarësh me bimësi të ulët, shkurre dhe barishte. Shërbimi zjarrfikës vijon të qëndrojë në terren për monitorimin e zonës dhe parandalimin e ndonjë riaktivizimi të mundshëm të vatrës.