Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) ka dhënë detaje mbi ndërhyrjen e ambulancave pas ngjarjes tragjike të 29 gushtit në Vaun e Dejës, ku humbën jetën dy persona. Sipas QKUM, ngjarja përfshiu dy raste të veçanta, të dyja si pasojë e goditjes nga rryma elektrike, të ndodhura në momente të ndryshme. Rasti i parë u raportua si urgjencë për goditje elektrike. Në vendngjarje ndodhej një infermiere e zonës, e cila kishte nisur menjëherë manovrat e reanimimit kardiopulmonar, por pa mundur të rikthente qarkullimin spontan.