Për të disatin vit radhazi u zhvillua në Dushk të Lushnjes festa e ullirit. Edhe pse kultivuesit flasin për një prodhim të bollshëm dhe vaj ulliri me cilësi të lartë, realiteti për kultivuesit e zonës mbetet sfidues. Sipas prodhuesve vendas, dy sfidat kryesore që rëndojnë mbi ta janë mungesa e fuqisë punëtore për vjeljen dhe vështirësitë në sigurimin e një tregu të qëndrueshëm shitjeje. Situata bëhet edhe më kritike për shkak të çmimit. Aktualisht, vaji i ullirit tregtohet me 5 mijë lekë të vjetra për litër, një shifër që sipas fermerëve është e pamjaftueshme dhe nuk justifikon kostot e larta të punimit, krasitjes, mbrojtjes dhe përpunimit.