Mes një realiteti të trazuar nga konfliktet në botë dhe pasojat e tyre ekonomike që ndihen edhe në vendin tonë, dhjetëra besimtarë iu bashkuan ritualit të “Udhës së Kryqit” në Laç. Ceremonia fetare u drejtua nga Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj, dhe u zhvillua drejt Kishës së “Shna Ndout”, ku përmes 14 ndalesave u përkujtuan mundimet e Jezu Krishtit. Në mesazhin e tij, Arqipeshkvi Dodaj u ndal te rritja e çmimeve, duke bërë thirrje që të mos abuzohet me situatën në emër të luftërave. Ai theksoi se të mirat që njerëzit zotërojnë janë një përgjegjësi dhe duhet të përdoren me ndershmëri, duke kujtuar se jeta është e përkohshme.