Donald Trump ka vijuar me deklarata të forta, duke theksuar se “Irani na ka dhënë një dhuratë të madhe për naftën dhe gazin”, duke lënë të kuptohet se nuk ka hequr dorë nga marrja e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa e cilësoi Teheranin si “të dëshpëruar” për të arritur një marrëveshje. Pavarësisht sinjaleve për diplomaci, zhvillimet në terren tregojnë se rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e pasigurt dhe e mbushur me tensione. Mediat raportojnë se Uashingtoni po vlerëson figura kyçe të politikës iraniane, mes tyre kryetarin e parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, si një partner të mundshëm në një fazë të re marrëdhëniesh, madje edhe si një lider potencial të së ardhmes. Trump ka thënë se regjimi është ndërruar tashmë dhe se po negociohet me persona të tjerë, të cilëve gjithsesi ai nuk u beson. Shqetësues është edhe sulmi ndaj centralit bërthamor në Bushehr. Sipas autoriteteve iraniane, objekti u godit gjatë natës, por pa shkaktuar dëme materiale apo viktima. Ky konflikt në Lindjen e mesme ka pasur kosto politike edhe për Donald Trump. Sipas raportimit të “Reuters”, mbështetja për Trump ka rënë në 36%, niveli më i ulët që nga fillimi i mandatit të tij të dytë. Mediat megjithatë, raportojnë se Pentagoni pritet të dërgojë rreth 3,000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme, kryesisht nga Divizioni i 82-të i parashutistëve, duke sinjalizuar se pavarësisht retorikës për marrëveshje, pmanovrat ushtarake vijojnë.