Dy viktima brenda pak orësh u regjistruan mbrëmjen e të enjtes në rrugët e vendit. Një 13-vjeçar, që po lëvizte në rrugë me monopatinë, u përplas për vdekje nga një makinë, në aksin rrugor që lidh Fishtën me superstradën Lezhë-Shkodër. I mituri u përplas nga një automjet tip “Audi”, që më pas përfundoi në një kanal anës rrugës. 13-vjeçari u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk mund t’iu mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës. Në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dinamikës së aksidentit. Ndërkohë, drejtuesi i makinës që shkaktoi aksidentin e rëndë u shoqërua në komisariat.