Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në New York, pasi dy persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje kritike pas një sulmi me thikë. Autorja e dyshuar e sulmit është një 49-vjeçarje, e cila dyshohet se sulmoi me thikë dy persona brenda rreth 20 sekondash. Sipas informacioneve paraprake, fillimisht ajo goditi me thikë në bark një 68-vjeçar, teksa ai po dilte nga një stacion metroje dhe po priste të kalonte rrugën. Më pas, ajo sulmoi fatalisht një 32-vjeçare, duke e goditur gjithashtu në bark. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30, në një prej zonave më të frekuentuara të New York-ut. Pas sulmit, autorja u drejtua drejt një zone ku ndodhet një nënstacion i Departamentit të Policisë së New York-ut (NYPD). Efektivët e policisë e vunë re teksa mbante dhe tundte thikën në drejtim të tyre. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet dramatike, ndërsa dhjetëra kalimtarë ndodheshin pranë vendngjarjes. Në video, gruaja, e veshur me një bluzë rozë, xhinse dhe një çantë, shihet duke mbajtur thikën dhe duke iu afruar efektivëve.