Një debat për pagesën e një shërbimi automjeti ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri dhe një të plagosur rëndë në Manati të Lezhës. Ngjarja u regjistrua mesditën e sotme, pranë një servisi automjetesh, ku i plagosur mbeti Daniel Pikuli. I riu ka marrë plagë në bark dhe, pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e Lezhës, u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Burime bëjnë me dije se Pikuli i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Burime për TCH bëjnë me dije se konflikti dyshohet të ketë nisur për pagesën e një automjeti, të cilit Pikuli i kishte kryer shërbim. Dy personat që kishin sjellë automjetin për servis, dyshohet se nuk kanë pranuar të kryejnë pagesën. Debati mes tyre ka agravuar, duke përfunduar në përdorimin e armës së zjarrit.