Autoritetet në Ukrainë arrestuan zëvendës-shefen e Zyrës Presidenciale, Iryna Mudra, vetëm pak orë pasi ajo u shkarkua nga Presidenti Volodymyr Zelensky. Emri i saj doli në hetimin më të madh për korrupsion, që ka prekur administratën ukrainase gjatë presidencës së Zelenskyt. Sipas mediave ukrainase, Mudra do ta kalojë natën e sotme në paraburgim, ndërsa pritet të përballet me drejtësinë për akuzën e korrupsionit. Gjatë të mërkurës, Byroja Kombëtare dhe Prokuroria e Specializuar Kundër Korrupsionit njoftuan se kishin goditur një organizatë të dyshuar kriminale ku, sipas hetuesve, përfshihen një zyrtar i lartë i Presidencës, një deputet aktual, një ish-deputet, si edhe drejtues të një banke shtetërore.