Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e Nivelit të Lartë të Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore, Presidenti Bajram Begaj, zhvilloi takime dypalëshe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, dhe Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan. Në takimin me homologun bullgar, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, si dhe nënvizoi nevojën e një bashkëpunimi e koordinimi më të mirë në funksion të përmirësimit të infrastrukturës ndërlidhëse rajonale, duke e vënë theksin në mënyrë të veçantë te Korridori 8-të. Të dy bashkëbiseduesit, sipas zyrës së presidencës, shkëmbyen mendime edhe mbi zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për nevojën e mbështetjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për ndikimin e pasojat e agresionit rus në Ukrainë.