Presidenti amerikan Donald Trump, kërcënoi se do të vendosë një tarifë 100% për të gjitha mallrat kanadeze nëse kryeministri i vendit arrin një marrëveshje tregtare me Kinën.“Nëse Kanadaja bën një marrëveshje me Kinën, ajo do të përballet menjëherë me një tarifë 100% kundër të gjitha mallrave dhe produkteve kanadeze që hyjnë në SHBA”, shkroi Trump në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social. Tensionet mes Trump dhe kryeministrit kanadez Mark Carney janë përshkallëzuar ditët e fundit, pasi Carney mbajti një fjalim kundër fuqive të mëdha të botës, në forumin e Davosit. Pas kësaj, kryeministri I Kanadasë u takua me Presidentin kinez Xi Jinping dhe njoftoi se vendet e tyre kishin arritur një marrëveshje tregtare që përfshinte edhe automjetet elektrike. Në postimin e tij, Trump iu referua kryeministrit si "Guvernatori Carney" dhe shkroi se nëse "mendon se do ta bëjë Kanadanë një 'Port për Kinën që të dërgojë mallra dhe produkte në Shtetet e Bashkuara, ai gabohet rëndë". Mark Carney nuk e përmendi presidentin me emër në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër këtë javë, por paralajmëroi për një "këputje" në rendin botëror të udhëhequr nga SHBA-të, gjë që duket se e zemëroi Trumpin. Pas fjalimit të kryeministrit Kanadez, Trump i tërhoqi edhe ftesën Kanadasë për t'u bashkuar me Bordin e Paqes të sapokrijuar, i cili po paraqitet nga SHBA-të si një organizatë e re ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve.