Protesta para Kuvendit të Kosovës është ashpërsuar gjatë fjalimeve të deputetëve në seancën e jashtëzakonshme. Siç raporton gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami, protestuesit po hedhin mjete piroteknike në drejtim të godinës së Kuvendit. Protesta është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, në mbështetje të ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ndërkohë, brenda Kuvendit vijon seanca plenare, ku deputetët po shqyrtojnë projektligjin, pasi ai u miratua më herët nga Komisioni për Legjislacion me 9 vota pro dhe asnjë kundër.