Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zhvillojnë këtë fundjavë negociata të reja për t’i dhënë fund agresionit rus në Ukrainë. Të shtunën, i dërguari special i Presidentit rus, Vladimir Putin, Kirill Dmitriev, ishte në Miami të Floridas për bisedime me delegacionin amerikan, ku u prit nga Steve Witkoff. Ky i fundit deklaroi se takimi ishte produktiv dhe se është i inkurajuar që Rusia po punon për të siguruar paqen në Ukrainë. “Sot në Florida, i dërguari special rus, Kirill Dmitriev zhvilloi takime produktive dhe konstruktive si pjesë e përpjekjeve të ndërmjetësimit të SHBA-së për të çuar përpara një zgjidhje paqësore të konfliktit ukrainas. Jemi të inkurajuar nga ky takim që Rusia po punon për të siguruar paqen në Ukrainë", theksoi Witkoff.