Nga 225 persona që ndodhen në paraburgim në burgun e Reçit, vetëm 10 prej tyre janë për krim të organizuar dhe korrupsion. Këto shifra u sollën në vëmendje nga kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mediat, Jorida Tabaku, e cila kundërshtoi argumentet e mazhorancës për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, sa i takon masës së sigurisë “arrest në burg”. Jorida Tabaku, Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mediat theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon vullnet politik të qëndrueshëm, ndërsa përdorimi i masës së arrestit në burg duhet të vlerësohet edhe në raport me të dhënat konkrete të paraburgimit. Deklaratat u bënë pas një vizite monitoruese në burgun e Reçit, ku anëtarët e komisionit, në bashkëpunim me përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Avokatit të Popullit dhe OSBE-së, u njohën me kushtet dhe trajtimin e të paraburgosurve. Monitorimi do të vijojë edhe në institucione të tjera penitenciare, ndërsa në përfundim do të hartohet një raport dhe do të paraqiten propozime për problematikat e evidentuara dhe ndryshimet ligjore.