Projektligji për strehimin social që synon të mbështesë rreth 7 mijë familje përmes sigurimit të banesave me kredi me interesa të ulëta, ka marrë miratimin në komisionin për Burimet Natyrore. Përveç kategorive të parashikuara në projektligj deputetët e mazhorancës propozuan zgjerimin e familjeve përfituese duke përfshirë edhe ato të prekura nga fatkeqësitë natyrore. “Do kisha dasdur që kolegë të opozitës të ishin prezent dhe ta votonin këtë ligj. Unë vij me një propozim për familjet që u prekën nga tërmeti dhe ne që nuk I kemi përmbyllur dhe në këtë këndvështrim ky propozim I jep një mundësi që fondet që bashkitë nuk I kanë përdorur ti viheshin në dispozicion këtë procesi.” Ndryshimet në projektligjin për strehimin social vijnë si një ndërhyrje në skemën ekzistuese, për të cilën edhe vetë përfaqësues të mazhorancës pranojnë se nuk ka dhënë efektet e pritshme. Ndërsa një pjesë e deputetëve të opozitës bojkotuan mbledhjen të tjerë zgjodhën të merrnin pjesë duke e lidhur diskutimin për strehimin me vështirësitë e qytetarëve dhe veçanërisht të të rinjve për të përballuar kostot e jetesës në Shqipëri.