Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian ishte fokusi i mesazhit të fundit të ministres së Jashtme, Elisa Spiropali, për vitin 2025. Në takimin e fundvitit me diplomatë, gazetarë dhe ekipin drejtues të ministrisë, Spiropali tha se 2026-a do të jetë vit mundësish dhe sfidash. “Të gjitha kapacitetet tona do të investohen në arritjen e objektivit strategjik, mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda 2027 dhe anëtarësimin në BE brenda dekadës. Rruga jonë europiane është e nxitur nga një ide e thjeshtë, që sot është zgjidhja dhe zgjedhja jonë e vetme: Shqipëria në Europë”. Spiropali ndau bindjen se ligji i ri për shërbimin e jashtëm, përmirësimi i mëtejshëm i kushteve financiare, por edhe statusi i diplomatit, do të vendosë diplomacinë shqiptare në kushtet e duhura për të udhëhequr angazhimin në rrugën drejt BE-së.