Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është bërë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për shkatërrimin e organizatave kriminale. Divizioni Penal i Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, përmes zyrës së OPDAT, ka mundësuar integrimin e plotë operacional të SPAK-ut në strategjinë globale kundër krimit të organizuar ndërkombëtar. Njoftimi u bë i ditur nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë që ka ndarë edhe foto Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Drogave (IDEC), e cila u zhvillua në Buenos Aires të Argjentinës, ku ka marrë pjesë edhe Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho.Ky aktivitet, i organizuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara kundër Narkotikëve DEA, përbën forumin kryesor global të sponsorizuar nga Uashingtoni për integrimin operacional, koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve të drejtpërdrejta kundër organizatave kriminale ndërkombëtare dhe Organizatave të Huaja Terroriste.