Top Channel/ Shqipëria “ia përplas” Rusisë në Këshillin e Sigurimit: Boll me gënjeshtra!
12/03/2022 12:51

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u mblodh për të diskutuar rreth pretendimeve rus mbi “aktivitete biologjike ushtarake amerikane në territorin e Ukrainës”, akuza të hedhura poshtë me forcë nga udhëheqësi i Ukrainës dhe administrata e Presidentit Biden. Moska thotë se Ukraina po operon laboratorë kimikë dhe biologjikë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Vasily Nebenzya, ambasador i Rusisë në OKB: Pandemia e Covid 19 na tregoi të gjithëve sesa të cënueshëm jemi përballë kërcënimeve biologjike. Gjatë operacionit të posaçëm ushtarak që Rusia po kryen në Ukrainë, zbuluam diçka shokuese: zhdukjen me urgjencë nga regjimi i Kievit të gjurmëve të një projekt biologjik, që po implementohej prej ukrainasve me mbështetjen e ministrisë amerikane të mbrojtjes. Ne kemi dokumente që tregojnë se Ukraina ka të paktën 30 laboratorë biologjikë ku janë kryer eksperimente shumë të rrezikshme biologjike që përfshijnë patogjenë të rrezikshëm, dhe financohen e mbikqyren nga Agjensia amerikane e mbrojtjes per uljen e kërcenimit. Qëllimi ishte të studiohej përhapja e sëmundjeve të rrezikshme infektive duke përdorur shpendë shtegtarë, ndërsa kishte dhe një projekt tjetër ku po shqyrtoheshin lakuriqët e natës, përmes të cilëve mund të përhapen viruse si ai i murtajës apo dhe koronaviruset. Fill pas Nebenzyas, fjalën e mori ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha, i cili me një ton mjaft të vendosur kujtoi se çdo akuzë e hedhur për armë të shkatërrimit në masë nuk duhet marrë lehtë, por ajo duhet shoqëruar me prova konkrete, te verifikuara nga organizma të pavarur, dhe Moska, nuk e ka bërë këtë.