Plagosje me thikë në pazarin e vjetër të Korçës. Të përfshirë në sherr janë dy pronarë lokalesh dhe 1 person tjetër. Korrespondentja e Top Channel, Dhorjela Çule raporton se ngjarja ka ndodhur pak minuta më parë, ku konflikti ka nisur fillimisht verbalisht mes personave e më pas ka degraduar në përdorimin e karrigeve të lokalit. Pas kësaj, njëri prej tyre ka marrë një thikë nga lokali dhe ka plagosur personin tjetër. Aktualisht tre të lënduarit ndodhen në spitalin e Korçës. Paraprakisht, nga hetimet e para dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të hapësirës publike duke pasur pretendime për vendosjen e karrigeve dhe tavolinave në pjesën e jashtme të dy lokaleve.