Shën Gjergji, festa tradicionale që festohet në mbarë Dibrën dhe në shumë treva shqiptare, prej vitesh tashmë është përfshirë edhe në kalendarin zyrtar të festave të kësaj bashkie, si “Dita e Emrit të Gjergj Kastriotit Skënderbeu”. Aktivitetet qendrore u mbajtën në Sinë, pranë muzeut të familjes Kastrioti, vend që konsiderohet si origjina e kësaj familjeje të njohur historike. Një moment i veçantë dhe për t’u vlerësuar ishte dhurimi i “setit të armëve” të Gjergj Kastriotit për muzeun, nga djemtë e Çidhnës, organizatorë të këtij aktiviteti. Studiuesi Haki Përnezha u shpreh se është pikërisht toponimia ajo që mbështet tezën e historianit Kristo Frashëri, sipas së cilës fisi i Kastriotëve e ka origjinën nga kjo krahinë, në katër breza.