Mbi 11 500 fluturime u anuluan të premten dhe të shtunën, si pasojë e ndërprerjes së fluturimeve në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa vijojnë problemet për udhëtarët. Departamenti amerikan i Transportit parashikon se do të vijojë anulimi i 4 deri 5 mijë fluturimeve, ndërsa pasojat u ndien edhe në disa prej aeroporteve kryesore të Evropës, me anulime dhe vonesa. Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, tha se sistemi është rikthyer në funksionim të plotë dhe se “nuk ka të dhëna që të sugjerojnë një sulm kibernetik”. Ai tha në një konferencë urgjente për shtyp se shkak i incidentit ishte një ndërhyrje mirëmbajtjeje për zëvendësimin e kabllove të bakrit me kabllo me fibër optike.