Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur një marrëveshje me Teheranin në negociatat që u zhvilluan në Islamabad të Pakistanit Kjo u konfirmua edhe nga zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance , si udhëheqës i delegacionit amerikan gjatë negociatave që zgjatën afërsisht 21 orë. Sipas Vance, "nuk ka një premtim përfundimtar nga Irani në lidhje me braktisjen e armëve bërthamore". Ndër çështjet që duhen zgjidhur është kalimi i Ngushticës së Hormuzit. Sipas televizionit shtetëror të regjimit të Ajatollahut, negociatat dështuan për shkak të "kërkesave të paarsyeshme" të Uashingtonit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, ka minimizuar tensionin pas dështimit të negociatave me Shtetet e Bashkuara. Baghaei tha gjatë një konference për shtyp se të dy palët "kanë arritur një marrëveshje për një numër çështjesh", ndërsa ende "kanë dallime për dy ose tre çështje të rëndësishme".