Sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit kanë goditur industri strategjike të çelikut në Iran, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Ngjarja shënon një tjetër përshkallëzim të konfliktit në rajon. Sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit kanë goditur komplekse të rëndësishme të çelikut në Iranin qendror dhe jugperëndimor, duke shkaktuar dëme të mëdha në kapacitetet prodhuese. Sipas mediave iraniane, kompleksi i kompanisë së çelikut Mobarakeh në provincën Isfahan, një nga më të mëdhenjtë në vend, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme në njësitë e prodhimit. Sulmet kanë goditur gjithashtu edhe filialin Sefid Dasht Steel, ku raportohen humbje dhe dëme të mëdha materiale. Kjo nuk është hera e parë që këto objekte industriale janë shënjestruar, pasi edhe më herët gjatë javës janë goditur uzina të tjera çeliku në Iran. Industria e çelikut konsiderohet jetike për ekonominë dhe kapacitetet ushtarake të vendit, duke qenë thelbësore për prodhimin e pajisjeve si raketa, dronë dhe anije. Ndërkohë, Garda Revolucionare iraniane ka reaguar duke kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj objekteve industriale në Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat i konsideron të lidhura me ushtrinë amerikane.