Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian paralajmërojnë masa më të ashpra ndaj Rusisë, pas sulmit të përgjakshëm me raketa balistike, teksa njerëzit ishin mbledhur për të festuar të Dielën e Palmave. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi të tmerrshëm sulmin rus në qytetin Sumy, që la pas 32 të vdekur e mbi 80 të plagosur, përfshirë edhe fëmijë. “Ky sulm i tmerrshëm është një kujtesë tragjike se pse Presidenti Trump dhe Administrata e tij po i kushtojnë kaq shumë kohë përpjekjes për t'i dhënë fund kësaj lufte dhe për të arritur një paqe të qëndrueshme”, shkroi Sekretari Rubio në rrjetin X, teksa shprehu ngushëllime për familjarët e viktimave.